Dy persona u arrestuan të mërkurën në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh.
Shtetasit kosovarë me inicialet, M.Q dhe B.SH u arrestuan pas një hetimi disamujor nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në.
Për këtë ka reaguar eksperti i sigurisë, Drizan Shala i cili thotë se me këtë rast AKI dëshmoi se është në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin dhe ruajtur sigurinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se ky është një mesazh për politikën e Beogradit dhe për të gjithë që veprojnë njësoj.
“Arrestimi i spiunëve kosovarë mesazh për politikën e Beogradit dhe të gjithë që veprojnë njësoj! AKI dëshmoi se është në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin dhe ruajtur sigurinë e Kosovës. Sot dhe nesër jemi të sigurt, por nga ky veprim edhe e ardhmja është tregues se do të jetë e sigurt”, ka shkruar Shala në Facebook.
“Faleminderit: Heronjtë tanë të heshtur”, ka vijuar ai.
Tutje ai ka deklaruar se BIA serbe e ka përjetuar rëndë arrestimin e dy kosovarëve në Ferizaj, nën dyshimin se kanë kryer spiunazh për këtë institucion.
Ai tha se sipas literaturës shkencore shërbimet në momentin që detyrohen të reagojnë edhe duke e mohuar një gjë të tillë, “forcon besimin se ata njerëz kanë luajtur rol të rëndësishëm dhe kanë qenë persona besnik”.
“Reagimi nga BIA për rastin “Ferizaj” po dëshmon : 1. Se BIA ka përjetuar rend identifikimin dhe kapjen e informatorëve, bashkëpunëtorëve apo agjendeve të tyre po dëshmohet me reagim. ) Në këtë pjesë nuk duan të përcaktojnë se i takon organit të ndjekjes penale se në qfarë niveli ishte bashkëpunimi). 2. Bazuar në reagimin e BIA-s sipas literaturës shkencore të studimeve të sigurisë, Shërbimet në momentin që detyrohen të reagojnë edhe duke e mohuar një gjë të tillë, forcon besimin se: ( Këta njerëz kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe janë dëshmuar se janë burimi kryesor dhe besnik ndaj shërbimit që i angazhoi )”, ka thënë ai.
Tutje Shala tha se ky reagim ka qëllim edhe procedural.
“Ky reagim i BIA-s , ka edhe qëllim procedural penal, duke lejuar mbrojtjen e argumentit se ky është reagimi zyrtar se këta nuk kanë qenë pjesë e tyre. ( Kështu cilësohet vepra e re penale nga Prokuroria dhe kjo duke u bazuar ne këtë argument zyrtar )”, tha tutje ai.
Ndryshe, dje, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.