Në mediat në Shqipëri është raportuar se gjatë ditës së hënë është arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.
Këtë e kanë konfirmuar për portalin Dukagjini nga Specialja, të cilët kanë thënë se Dhomat e Specializuara kanë kërkuar nga autoritet shqiptare për arrestimin e Goxhajt, me qëllim ekstradimin e tij në Hagë.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet shqiptare arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DhSK kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në KSK, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga një gjyqtar i DhSK-së në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Z. Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e z. Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, ka thënë shefja për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Anglea Griep.
Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.
Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë luftës së Kosovës, edhe i biri Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.