Liridon Rexhepi, i identifikuar si kreu i rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT), u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Stambollit, raportoi sot Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, Rexhepi dyshohet se ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për medie, tha se pak para nisjes së konferencës pranuan pyetje nga Turqia lidhur me këtë rast.
“Në këtë drejtim, na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë posa hyra në këtë konferencë dhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, sepse në përgjithësi këto informacione janë të ndjeshme, sidomos kur jepet informacioni pa u kryer një veprim siç duhet. Unë kam kërkuar nga drejtori i departamentit të më njoftojë vetëm për çështjet të cilat mund të njoftohet publiku”, tha ajo, duke shtuar se më vonë gjatë ditës Ministria e Drejtësisë do të japë informacione të tjera për këtë rast.
Në mënyrë jozyrtare, Televizioni Dukagjini ka mësuar se tashmë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJD) ka dërguar një kërkesë tek autoritetet e Turqisë, për të marrë informacione më shumë se për çka bëhet fjalë sa i përket arrestimit të Rexhepit.
Megjithëkëtë, deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk ka ndonjë përgjigje.