Policia e Elbasanit, ka njoftuar lidhur me ngjarjen e ndodhur të shtunën e 20 gushtit, ku dy shtetasit rusë dhe një ukrainas, u kapën pranë Uzinës Ushtarake të Gramshit teksa po fotografonin mjediset.
Dy shtetasit rusë, M.Z., 24 vjeç, dhe S.T, 33 vjeç si dhe shtetasi ukrainas, F.A., 25 vjeç, po akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Sipas njoftimit të policisë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq, Prokuroria e Elbasanit tashmë ka akuzuar zyrtarisht dy shtetasit rusë dhe një ukrainas, në bazë të tre neneve të kodit penal, ku përfshihet edhe ai për spiunazh.
Të njëjtit do të dalin para gjykatës për tri vepra penale: Neni 214, sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake një shteti të huaj me qëllim cënimin e pavarësisë, neni 237 goditje për shkak të detyrës dhe mbajtje e armëve të ftohta pasi mbajtja e neuropalizuesve profesionale futet tek armët e ftohta sipas njërit nga anetarët e grupit të hetimit.
Ndryshe, t ë shtunën e 20 gushtit, dy ushtarakë shqiptarë, teksa ishin në turnin e rojës, ishin konfliktuar me një shtetas rus, i cili kishte kaluar rrethimin, po fotografonte zonën.
Dy ushtarët shqiptarë të cilët ishin caktuar me detyrë për ruajtjen e Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme, pasi janë përplasur fizikisht me tre shtetas rusë, të dyshuar si agjentë.
Ushtarët shqiptarë kanë dëgjuar lëvizje të dyshimta te personat të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë në Gramsh, dhe janë afruar për t’i larguar.
Në momentin që janë afruar ka pasur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë dhe rusëve, ku njëri prej tyre ka përdorur sprej dhe ka lënë të lënduar ushtarët shqiptarë.
Shtetasit e dyshuar rusë kanë sulmuar me armë kimike ushtarët në Uzinën e Çekinit të Gramshit (ish uzina mekanike e Armeve).
Çfarë deklaruan dy rusët dhe ukrainasi pasi u arrestuan nga policia për incidentin në Gramsh?
“Jemi turistë. Kemi pasion fotografinë e uzinave të braktisura. Menaxhojmë faqe në instagram dhe nuk i përkasim asnjë agjencie inteligjente”, ishin fjalët të cilat i kishin thënë tre personat e ndaluar nga policia, të cilët kishin tentuar të futeshin në uzinën e Gramshit.
Pavarësisht pretendimeve të tyre, sendet personale të 2 djemve dhe një vajze, ku 2 prej tyre rusë nga Moska dhe një ukrainas janë dërguar në laboratorin shkencor për ekzaminim.
33-vjeçrja Svetlana Valerneva Timofoeva, kishte postuar foto në llogarinë e saj në Instagram vetëm disa minuta para ndalimit nga policia.
Në këtë blog në njërin nga postimet e saj ajo kishte shkruar se ka 15 vjet që e ndjek këtë hobi.
Grupi shihet se ka qenë në shumë vende të ndryshme, të cilët edhe kanë fotografuar uzina të ngjashme.
Ndryshe, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës të 20 gushtit pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.