Të hënën e 1 gushtit, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës kanë arrestuar 16 persona madhor F.S., L.S., A.S., B.A., E.A., L.U., Sh.M., U.E., B.G., F.G., A.K., B.B., E.B., F.I., A.I., L.Z., dhe një të mitur A.A.
Këta persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale “Kontrabandimi me migrantë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinë.
“Sipas kërkesës, të pandehurit në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore nga hyrja e paligjshme e personave që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, merren me kontrabandim të migrantëve në atë mënyrë që nga muaji mars 2022 e deri me datë 30.07.2022, duke bashkëpunuar në mes vete e sidomos me shtetas të huaj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda.
Ky grup që është arrestuar për kontrabandimin e migrantëve që ishin të udhëqur nga M.F.A., nga Bahreini, nga territori i Republikës së Shqipërisë ilegalisht kanë futur në territorin e Republikës së Kosovës mbi 700 migrantë.
“Migrantët i transportojnë qoftë në hyrje të Mitrovicës apo në Stacionin e autobusëve në Mitrovicë, ku aty janë pritur nga të pandehurit F.I., dhe A.I., të cilët përmes auto-taksistëve bënin organizimin e transportit deri në kufirin Kosovë-Serbi, tek vendkalimi kufitar në Jarinje, dhe aty përmes hekurudhës duke ecur në këmbë sërish ilegalisht i fusin në territorin e Serbisë, me ç’rast përfitojnë kundërligjshëm rreth 14,000.00 Euro
Lidhur me rastin nga të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim:
Katër (4) armë zjarri; Një (1) elektroshok; Nëntëdhjetë e pesë (95) copë fishekë;Tre (3) autobusë; Tri (3) vetura; Dy (2) radiolidhje; Shtatëmbëdhjetë (17) telefona celular; Njëmijë e shtatqind e shtatë (1707 ) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda.