Reagimi i zyrtarëve të policisë së Kosovës, për të ndaluar një përleshje mes disa personave në afërsi të qendrës në Mitrovicë të Veriut u kushtoi me lëndime trupore.
3 zyrtarë policor u ofenduan e më pas edhe u sulmuan nga 6 persona, të cilët u arrestuan.
“Mbrëmë pas mesnate policia derisa ishte në patrullim në afërsi të stacionit policor është një lokal që ka has në disa persona që ishin duke fjalosur ose kishin kontakt fizik me njëri tjetrin ka pasur përleshje mes tyre, policia është ndalu me pyte dhe ka ndaluar përleshjen, gjatë verifikimit me ta policia është sulmuar mandej nga ana e tyre, dhe me këtë rast policia ka bërë arrestimin e 6 personave”, ka thënë zëvendësdrejtor i Policisë për veriun, Veton Elshani.
Sipas Elshanit, të gjithë personat rezultuan të jenë nën ndikimin e alkoolit.
“Që të gjithë kanë rezultuar të dehur mbi një promil e më lartë, të gjithë janë të moshës madhore nga 19 e mbi, të gjithë janë të ndaluar dhe për 48 orë… Procedurat janë që në rast se kemi lëndime të lehta trupore marrin tretmanin mjekësor por nuk ka ndonjë gjë për tu shqetësuar”, ka shtuar Elshani.
Rasti tashmë është cilësuar nga prokuroria Themelore në Mitrovicë si sulm ndaj personit zyrtarit, derisa ende nuk është vendosur për masën e sigurisë që do të kërkohet.
“Rreth orës 12.20 pas mesnate, në afërsi të një lokali në rrugën “Kral Petri” në veri të Mitrovicës, ka ndodhë një përleshje mes disa personave, të cilët dyshohet që kanë qenë të dehur. Në përleshje ka ndërhyrë policia e Kosovës dhe personat e dyshuar e kanë sulmuar Policinë, me ç ‘rast janë arrestuar. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për dyzetetetë (48) orë, gjashtë (6) persona, me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Sulmi ndaj personi zyrtar”. Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”
Megjithëse sulmuan Policinë, nuk mungoi reagimi i Listës Serbe që kërkuan hetim meqenëse sipas tyre gjatë arrestimit të serbëve u shkelën të drejtat e njeriut.