Ka vijuar operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.
Operacioni i zhvilluar nga DVKM, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta”, Komisariatin e Policisë Himarë dhe Seksionin e Trafiqeve në DVP Vlorë. Katër persona nga Shkodra janë arrestuar nga Policia shqiptare, me dyshimin se po transportonin me një mjet furgon 29 emigrantë.
Policia Shqiptare ka sekuestruar dy automjetet, me të cilat, transportoheshin emigrantët dhe celularët e të arrestuarve.
Inicialet e të arrestuarve janë: F. H., 48-vjeç, M. F., 32-vjeç, B. F., 18-vjeç dhe K. Q., 36-vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Shtetasit bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të kryer transportimin kundrejt pagesave të 29 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
Shtetasi B. F. drejtonte furgonin me të cilin transportoheshin emigrantët, ndërsa 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, lëviznin me një automjet tjetër, me qëllim monitorimin e rrugës së kalimit nga Saranda drejt Shkodrës, për t’i shmangur shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.