Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren ka njoftuar se pas mesnate, më datën 11 maj 2022, kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa vendore.
Në njoftimin e Policisë thuhet se në veturë ishin tre persona: E.T., (viti i lindjes 1997, mashkull kosovar), T.L., (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar) dhe V.S., (mashkull kosovar). Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dy armë dhe një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe është kërkuar leje nga gjyqtari i procedurës paraprake për kontroll të objekteve.
Pas marrjes së urdhërit, Policia ka kontrolluar edhe një lokal dhe një banesë në Prizren. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë tjetër zjarri dhe disa qese më substancë që dyshohet të jetë narkotike.
Ndërkohë janë ndaluar edhe dy të dyshuar të tjerë (te lokali dhe në banesë): L.H., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar) dhe D.M., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar).
Policia si dëshmi te vetura, në lokal dhe në banesë ka gjetur dhe sekuestruar, gjithsej:
Tri armë zjarri (pistoleta) me 13 fishekë,
Tetë qese të vogla me substancë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë me peshë 8.87 gramë,
Një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike –kokainë,
Një peshore elektrike, një foli alumini për mbështjellje të narkotikëve, një pako letra ”rizlla”.
Ndaj të dyshuarve iniciohen rastet penale: ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, pesë të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, thuhet në njoftimin e Policisë.