Policia e Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, të enjten kanë zhvilluar operacione policore në rajonin e Pejës dhe në rajonin e Gjakovës.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka dhënë detaje lidhur me dy operacionet e zhvilluara.
Operacioni policor i zhvilluar në rajonin e Pejës ka ardhur si rezultat i zhvillimit të hetimeve intensive me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale ku të përfshirë kanë qenë disa persona të dyshuar për trafikim të armëve.
Gjatë operacionit në komunën e Pejës janë identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë.
Ndërsa, gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë kryer edhe kontrolle të shtëpive dhe në prona të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave dhe dëshmive ku janë gjetur dhe konfiskuar, pesë armë (një AK-47 dhe katër revole), një predhë trombloni, dyqind fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dëshmi tjera.
Ndëkaq, në operacionin e zhvilluar në rajonin e Gjakovës, njësitë policore nga Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotik e asistuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Njësia e Krim Teknikës, në fshatin Lug-Bunar, kanë identifikuar një person të dyshuar mashkull kosovar, i cili është arrestuar pasi ai në një zonë malore të lokacionit të lartpërmendur kishte kultivuar bimë narkotike të llojit “kanabis sativa”.
Në atë zonë janë gjetur, gjithsej, 107 bimë të llojit të lartcekur me një gjatësi prej 2.5m, të cilat me udhëzim të prokurorit kompetent janë shkatërruar, ndërsa një pjesë e tyre janë marrë për ekzaminim.
Po ashtu, në shtëpinë dhe në objektet përcjellëse si pronë e tij, është kryer kontroll ku janë gjetur dhe konfiskuar: një armë automatike AK-47 me karikator dhe shtatëmbëdhjetë fishekë, një karikator i revoles me njëmbëdhjetë fishekë.
Në lidhje me rastet e cekura për të gjitha veprimet e marra është njoftuar prokurori kompetent me aktvendim të së cilit ndaj të dyshuarave është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.