Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, të hënën e 4 korrikut ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO) në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kanë realizuar me sukses operacionin disaditor ndaj një grupi kriminal, të përfshirë në disa vepra penale.
Veprat penale si: “Pjesëmarrja ose Organizimi i Grupit Kriminal të Organizuar” që lidhen me veprat “ Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”, “Zjarrvënie” , “Detyrim” e të tjerë, i cili ka rezultuar me arrestimin e tetë (8) personave të dyshuar.
Të dyshuarit e arrestuar janë:
- A. P. dtl. 1999 shqiptar/ kosovar
- K. K. dtl. 1998 shqiptar/ kosovar
- F. C. dtl. 2003 shqiptar/kosovar
- A.M. dtl. 1995 shqiptar/kosovar
- G. I. dtl. 1998 shqiptar/kosovar
- D.R. dtl. 2004 shqiptar/kosovar
- E.C. dtl. 1993 shqiptar/kosovar
- L.B. dtl 2000 shqiptar/kosovar
Në njoftiimin e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun shkruhet se rastet e hetuara të datës 19.06.2022, rreth orës 02:20 ka ndodhur një zjarrvënie në një lokal në “Dardani” të Prishtinës.
Zjarri në këtë lokal dyshohet se ishte shkaktuar nga hedhja e një shisheje me benzinë (koktej molotovi), e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Po ashtu, me datë 22.06.2022, diku rreth orës 03:30, në të njëjtin lokacion afër këtij lokali në Prishtinë ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale në tri veturat të cilat ishin të parkuara”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun.
“Më 06.06.2022, diku në ora 03:03, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë ishte hedhur një granatë dore e cila nuk ishte aktivizuar (shpërthyer)”.
Granata në fjalë nga vendi i ngjarjes ishte tërhequr nga njësia përkatëse e Policisë së Kosovës.
Më 28.06.2022, diku rreth orës 03:30, në rrugën e Mullirit në Mitrovicë, ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
Referuar rasteve të ndodhura janë ndërmarrë veprime konkrete nga sektori i hetimeve në kuadër të DHKO-së, me qasje hetimore pro aktive me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Është arritur të identifikohet grupi i organizuar
kriminal të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e akteve kriminale të lartcekura.
Me veprime operacionale të ndërmarra në vazhdimësi me datat 20,22, 23, 27 qershor dhe 3 korrik 2022 është arritur që të arrestohen tetë personat e dyshuar, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e veprave penale të lartcekura.
Në cilësi të prova materiale janë sekuestruar:
– Tetëtelefona mobilë
– Një veturë
– 6.7 gramë substancë narkotike (marihuanë) si dhe
– Prova të tjera materiale të cilat shërbejnë në procedurë të mëtejme.
Personat e dyshuar fillimisht me urdhër të prokurorit kanë qenë në mbajtje, pastaj sipas vendimit të Gjykatës u është vazhduar masa e paraburgimit për tridhjetë (30) ditë.
Vlen të theksohet, se njeri nga personat e arrestuar ishte në kërkim me fletarrest nga Gjykata Kompetente.