Hetuesit policorë nga Departamenti i Kufirit kanë arrestuar tetëmbëdhjetë të dyshuar për përfshirje në kontrabandim me emigrantë, njërin ndër ta edhe për armëmbajtje pa leje.
Një hetim i cili kishte nisur nga marsi i këtij viti rreth dyshimit se disa persona janë përfshirë në “kontrabandim me emigrant”, përfshinte një numër të madh të këtyre të fundit.
Ky akt dyshohej se ishte realizuar përmes një depërtimi ilegal nga Shqipëria, duke i kaluar deri në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që emigrantët të arrinin në shtetet perëndimore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas arrestimit të të dyshuarit shtetas sirian M.A më 17 korrik, Policia e Kosovës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Shkoza”, të shtunën.
Në njërin nga tri lokacionet në fshatin Shkozë të Prizrenit, një i dyshuar ka tentuar t’i godasë me veturë zyrtarët policorë.
Ai është arrestuar për “sulm ndaj personit zyrtar” dhe është dërguar në mbajtje.
Gjatë operacionit policor janë arrestuar edhe gjashtëmbëdhjetë të dyshuar për përfshirje
në kontrabandim me emigrantë, po ashtu edhe një për armëmbajtje pa leje.
Nga të dyshuarit janë sekuestruar katër armë zjarri, nëntëdhjetë e pesë copë fishekë, tre
autobusë, dy vetura, dy radiolidhje dhe shtatëmbëdhjetë telefona celular.
Pas intervistimit të tetëmbëdhjetë të dyshuarve të trajtuar në këtë operacion policor, me
aktvendim të prokurorit shtatëmbëdhjetë nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, kurse ndaj njërit vazhdon procedura e rregullt.