Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Në një komunikatë për media thuhet se ndaj personave të dyshuar E.B, mashkull 22 vjeç, Sh.V. mashkull 22 vjeç dhe E.G, mashkull 31 vjeç, është hapur rast për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërkohë që hetuesit po kryejnë procedurat e nevojshme hetimore në koordinim me Prokurorinë përkatëse.
“Pas pranimit të informatës lidhur me dëmtimin e një flamuri në Graqanicë, që dyshohet të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, policia menjëherë ka nisur një hetim i cili ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e tre personave të dyshuar”, ka njoftuar policia.
Ndryshe, në një video të publikuar në rrjetin social Tiktok, shihet një person i maskuar që i vë flakën flamurit të Serbisë në komunën e Graçanicës, derisa flamuri i shtetit serb ka qenë i vendosur afër statujës së Car Lasarit në rrugën në drejtim të komunës së Gjilanit.
Në momentin që personi i vë flakën flamurit, në sfond dëgjohet kënga e këngëtarit Mehedi Përgjegjaj i njohur shkurt si Meda.
Kënga është “Moj Kosovë”.
“Janë çuar në këmbë burrat e dheut si në kohë të Skënderbeut, me ia kthye pushkën dushmanit me i dalë zot vatanit. Moj Kosovë jo nuk mposhtesh kurrë, bac Ademin, bacën Hamëz t’i mi ke në flamur”, thuhet në këngë.