Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për trafikim me substanca narkotike dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit, Policia ka kryer kontrolle në dy lokacione, një në Prishtinë dhe një në Gjakovë.
Pas kryerjes së kontrollit janë arrestuar: L.Z., (viti i lindjes 1982, mashkull kosovar), V.M., (viti i lindjes 1993, femër kosovare) dhe F.R., (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar).
Në vendin e ngjarjes si prova materiale janë sekuestruar sasi narkotikësh dhe disa armë.
“Dy paketime dyshohet të jetë kokainë me peshë të përgjithshme 2350 gramë. (në vlerë rreth 90000 euro), katër qese dyshohet të jetë marihuanë me peshë të përgjithshme 3696 gramë. (në vlerë rreth 5500 euro), një armë e gjatë AK 47 e modifikuar (në vlerë rreth 2000 euro), shtatë pistoleta (në vlerë rreth 14000 euro), para të gatshme 1645 euro, tri vetura, dy me targa të huaja dhe një me targa vendore, si dhe prova tjera materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.
Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërkaq rasti vazhdon të jetë nën hetim nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.