Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pasi kanë pranuar informacione për posedim të substancave narkotike, të premten e 28 tetorit kanë zbatuar një operacion policorë në Mitrovicën e Veriut me qëllim të kapjes së të dyshuarit dhe konfiskimit të substancave narkotike.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se policia ka pranuar urdhëresën për kontroll nga organet e drejtësisë, kanë kryer kontroll në një banesë ku dyshohej se mund të kishte lëndë narkotike.
“Gjatë kontrollit në atë lokacion policia ka arritur të gjejë e të konfiskojë 9 kg e 108 gr substancë që dyshohet se është marihuanë”, njofton Policia e Kosovës.
Në këtë njoftim tutje thuhet se policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin mashkull 33- vjeçar, i cili është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti “blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave, psikotrope ose analoge”.
Ndërsa, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim nga prokurori kompetent.