Tifozi i njohur i kombëtares së Shqipërisë në futboll, Ismail Morina ,“Ballisti”, është arrestuar në Kukës të Shqipërisë.
Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të tij në Facebook, ku thuhet se ai nuk po vazhdon të jetë i lirë.
Në bazë të informatave, “Ballisti” është arrestuar në Kukës, e që bëhet e ditur se do të ketë informata shtesë.
Tifozi që u bë i njohur pasi e kishte lëshuar dronin me flamurin e ‘Shqipërisë Etnike’ në Beograd, që nga ajo kohë ka pasur probleme të vazhdueshme me ligjin.
Për lajmin e arrestimit të Morinës, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që ka akuzuar kryeministrin aktual Edi Rama, për arrestimin “si hakmarrje për dronin që lëshoi në stadiumin e Beogradit me figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit dhe që harboi fare ultranacionalistët serbë me në krye serbomadhin Vuçiq”.
Gjithashtu Berisha ka bërë të ditur se që nga koha kur Ismail Morina ka lëshuar dronin është shndërruar ne njeriun më të persekutuar në Ballkan.
Sipas tij, dy krerët fqinjë, Rama dhe Vuçiç, kanë shërbimet e tyre sekrete dhe i kanë montuar kundër Ballistit, duke i quajtur si ‘kurthe te ulëta dhe sajuar akuza pa asnjë bazë’.
“Dënoj me ashpërsinë me te madhe arrestimin e Morines dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm te tij. Ju beje thirrje te gjitha organizatave ndërkombëtare te te drejtave te njeriut te ndërhynë per lirimin e tij te menjëhershëm dhe te dënojnë persekutimin politik te Morines nga binomi famëkeq Rama-Vuçiç”, ka thënë më tej Berisha.
“Ballisti” Ismail Morina, bëri famë pasi mori autorësinë e lëshimit të dronit në stadiumin e Beogradit në vitin 2014 kur në lojë po përballeshin Serbia e Shqipëria. Lëshimi i flamurit përmes dronit kishte nxitur përplasje në fushë deri në anulim të saj.
Policia e Kukësit, ka konfirmuar ndalimin e Morinës, i cili mësohet se ishte i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Durrësit.
Morina, është vënë në pranga ditën e sotme pasi kishte një urdhër arresti dhe me vendim të Gjykatës së Durrësit ishte dënuar me 5 muaj e 12 ditë burg për armëmbajtje pa leje.