Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person nën dyshimin për dhunim të 11-vjeçares në Prishtinë.
Sipas njoftimit të prokurorisë, thuhet se bëhet fjalë për rastin e ndodhur në muajin qershor të këtij viti.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11-vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente.
Ndryshe, ky është personi i 12-të, i arrestuar nën dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares.
Ndryshe, të mërkurën e 14 shtatorit, është zhvilluar një aksion simbolik para Këshillit Prokurorial, të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Me anë të këtij aksioni është kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi dhe prokurorit Ruhan Salihu.
Njëra nga organizatoret, Anita Mjeku, ka thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është bashkëfajtore në përdhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë nga pesë burra, ngjarje kjo që ndodhi në muajin gusht të këtij viti.
Prokuroria është përballur me këtë “akuzë”, për shkak se siç thotë Mjeku rasti kishte ndodhur edhe në qershor dhe ishte në duart e prokurorit Ruhan Salihu, “që e kishte neglizhuar rastin”.
“Sot ne i shpallim Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi. Përmes këtij institucioni prapa mirëmbahen neglizhentë, seksistë dhe riprodhohen prokurorë e rascistë që më pas shndërrohen edhe në bashkëfajtorë të krimeve me baza gjinore”, ka thënë Mjeku, shkruan KP.
Mjeku më tej shtoi se Ruhan Salihu ishte prokuror edhe në rastin e Kujtim Veselit, 11- vjeçarit që u përdhunua e më pas u vra.
“Prokuroi Salihu ende vazhdon të punojë i pashqetësuar”, është shprehur ajo.
Mjeku kërkoi më tej që trajtimi i rastit të 11-vjeçares të hiqet nga kompetenca e Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe t’i kalojë asaj Speciale.