Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “ndihmë” në kryerje të veprës penale të dhunimit seksual të 11-vjeçares.
Siç është bërë e ditur, i dyshuari veprën penale e kreu në rastin e dhunimit të 11-vjeçares që ndodhi në qershor të vitit 2022.
“Në vazhdën e veprimeve intensive hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ndihmë”(në kryerjen e veprës penale të dhunimit), sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11 vjeçares, në qershor të vitit 2022”.
Po ashtu, sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në gjykatën kompetente.
Më 29 gusht, Policia e Kosovës kishte njoftuar se pesë persona e kishin dhunuar një vajzë të mitur 11-vjeçare, dhunimi kishte ndodhur nga ora 17:30 deri në 00:33, kështu e mitura kishte qenë viktimë e dhunës seksuale për shtatë orë.
Rasti i 11-vjeçares, e cila dyshohet se ka qenë viktimë e dhunës edhe gjatë muajit qershor, po hetohet ndaras nga rasti i datës më 27 gusht.
Ndërsa, për të dyja rastet të dyshuar janë 12 persona, tashmë të gjithë të arrestuar.
Ndërkaq, janë shkarkuar edhe dy drejtorë të Policisë së Kosovës pas rastit të përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Nga pozita e drejtorit të Policisë rajonale të Prishtinës është larguar Fahredin Verbovci ndërkaq, Shkëlzen Xhafa nga ajo e Shefit të Operativës për kryeqytet.
Ndërsa, për shkarkimet e tyre, njoftimi u bë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse shkarkimet bëhen nga menaxhmenti i Policisë.
Kreu i Qeverisë ka thënë se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Po ashtu, dorëheqje nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës ka dhënë Samedin Mehmeti.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se kërkesa e dorëheqjes nga Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares, për arsye “personale dhe ndërgjegje profesionale”.