Policia e Kosovës, të martën e 30 gushtit ka njoftuar se është duke e intervistuar edhe personin e pestë të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Sipas policisë, veprimet e mëtejme lidhur me të dyshuarin do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
“Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar i cili ka qenë në kërkim policor është duke u intervistuar nga hetimet rajonale të DRP Prishtinë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin ‘dhunim’ të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, dy të miturit që u arrestuan të hënën e 29 gushtit nën dyshimin për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, kanë dalë para gjykatës, ku iu është caktuar masa paraburgimi prej një muaji.
Vendimin për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Ndërkaq, lidhur me këtë rast janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë E.R dhe G.R, të cilëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ndërsa, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pesë persona dyshohen se e kanë dhunuar seksualisht një të mitur në komunën e Prishtinës. Viktima është vajzë e mitur e moshës 11-vjeçare.
Sipas Kallxo.com, dhunimi ka ndodhur nga ora 17:30 deri në 00:33, kështu viktima ka qenë viktimë e dhunës seksuale për shtatë orë.
Gjykata Themelore e Prishtinës, për Rtv Dukagjinin e ka konfirmuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit.
Në lidhje me këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjini ka thënë se prokurori i shtetit e ka caktuar masën e paraburgimit për dy persona të dyshuar.
Për njërin nga të dyshuarit është kërkuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, kurse për tjetrin, i cili sipas prokurorisë është i moshës së mitur, 24 orë.
Të dy personat dyshohen se e kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Dhunimi’, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.
Ulaj ka bërë të ditur se për rastin në fjalë, janë “duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante”.
Tutje, ajo ka shtuar se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë.
Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit e tjerë për dhunimin e 11-vjeçares