Të premten e 19 gushtit, ish-prokurori i përgjithshëm i Meksikës është arrestuar në lidhje me zhdukjen e 43 studentëve në vitin 2014. Zyra e prokurorit tha në një deklaratë se e konsideron ish-prokurorin e përgjithshëm, Jesús Murillo Karam, të dyshuar për “krimet e zhdukjes me forcë, torturës dhe kundër administrimit të drejtësisë”.
Arrestimi i tij vjen një ditë pasi një komision qeveritar i së vërtetës tha se zhdukja e studentëve ishte një “krim i shtetit”, në një raport të bazuar në mijëra dokumente, mesazhe, regjistrime telefonike, dëshmi dhe forma të tjera prova.
Studentët kishin vizituar qytetin jugperëndimor të Iguala nga një kolegj mësuesish në Ayotzinapa kur autobusi i tyre u kap nga policia lokale dhe forcat ushtarake federale në shtator 2014.
Shumica e studentëve të zhdukur nuk u gjetën kurrë.
Megjithatë, më vonë në rrugët e qytetit janë parë autobusët e mbushur me plumba, me xhama të thyer dhe gjak. Dhe të mbijetuarit nga grupi fillestar prej 100 vetash thanë se autobusët e tyre ishin ndaluar nga oficerë policorë dhe ushtarë të armatosur, të cilët papritmas hapën zjarr.
Nënsekretari i Meksikës për të Drejtat e Njeriut, Alexander Encinas, ka thënë se sipas komisionit, ishin anëtarë të “grupit kriminal Guerreros Unidos dhe agjentë nga institucione të ndryshme të shtetit meksikan” që u përfshinë në zhdukjen e studentëve.
Presidenti aktual, Andrés Manuel López Obrador, qeveria e të cilit krijoi komisionin qeveritar të së vërtetës, është zotuar të zbulojë se çfarë ndodhi saktësisht me studentët e zhdukur, raporton CNN.
Autoritetet kanë gjetur vetëm trupat e tre studentëve, megjithatë, komisioni tha se nuk ka gjasa që ndonjë student i zhdukur të jetë ende gjallë. “Nuk ka asnjë tregues se studentët janë gjallë. Përkundrazi, të gjitha dëshmitë dhe provat vërtetojnë se ata janë vrarë dhe zhdukur me dinakëri,” tha Encinas.
Raporti i komisionit përshkruan një mbulim të thellë, duke përfshirë nivele të shumta të zyrave të qeverisë lokale dhe federale. Zyrtarët fshehën fakte dhe mbuluan lidhjet midis autoriteteve dhe bandave, thuhet në raport.
“Në çdo kohë, autoritetet federale, shtetërore dhe komunale ishin në dijeni të lëvizjeve të studentëve. Veprimet, mosveprimet dhe pjesëmarrja e tyre lejuan zhdukjen dhe ekzekutimin e studentëve,” thuhet në raport.