Kamermani i “Betimit për Drejtësi”, Arianit Tahiri, është arrestuar gjatë ditës së sotme nga institucionet e rendit dhe të sigurisë.
Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës [AGK] përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shtuar se kamermani Arianit Tahiri është mbajtur dhunshëm “në lokal” nga punëtorët, teksa ishte duke xhiruar dhe realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtarit të disa prokurorëve”.
AGK-ja tha se e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës dhe kërkon lirim të menjëhershëm të kameramanit.
Të martën është arrestuar punonjësi i “Betimit për Drejtësi”, Arianit Tahiri, e për këtë ka reaguar edhe Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, pjesë e të cilit është mediumi.
Ai ka shkruar në Facebook se kameramani është arrestuar dhe është marrë në pyetje “se pse po xhiron”.
“Prokuroria Themelore në Prizren e paska zbuluar një mënyrë të re si me i pengu gazetarët kur bëjnë hulumtime, i arrestojnë dhe i dërgojnë në stacion policor me i marrë në pyetje pse po xhironi. Kjo sot i ndodhi gazetarëve dhe kameramanit të ‘Betimi për Drejtësi’. Prokuror që nuk e di as ABC-në e ligjeve që i mbrojnë gazetarët në punën e tyre apo prokurorë që i dalin në mbrojtje krimit duke i penguar gazetarët në punën e tyre”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Sipas tij, arrestimi dhe marrja në pyetje është shkelje e rëndë e lirisë së medias.