Kryeshefi i ndërmarrjes “KRU Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar sot në Gjakovë me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Prokuroria Speciale dhe Policia bastisën zyrën dhe shtëpinë e tij, duke sekuestruar një laptop, një telefon, 22,205 euro para të gatshme, një barkë dhe dy kontrata të lidhura me rastin.
Krasniqi është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj tij.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë. Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë.
Poashtu gjatë ditës së sotme janë kontrolluar-bastisur edhe objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU Gjakovë, ku janë siguruar dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin, si dhe janë sekuestruar: -Një (1) Lap-Top -Një (1) Telefon mobil Samsung Galaxy S22, -Para 22.205,00 Euro, -Barka Ranier Wit, -Dy kontrata qe ndërlidhen me rastin. Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do të vendosë për masën e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë”, thuhet në njoftim.