Naser Hafizi vizitën zyrtare në Francë nuk e ndërpreu, as pas bastisjeve e kërkimit nga organet e drejtësisë, nën dyshimet për korrupsion.
Megjithatë me të arritur në Kosovë, pasditen e sotme ai u prit nga zyrtarët policor dhe u ndalua menjëherë në aeroportin e Prishtinës.
Hafizi, i cili është ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Autoritetit rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, është shoqëruar për në polici meqë është i dyshuar për disa vepra penale, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje të parave dhe mosraportim ose raportim i rremë i të ardhurave dhe dobisë tjetër pasurore.
Pavarësisht pyetjeve të gazetarëve ai nuk foli asgjë.
Hafizi, i cili u kërkua gjatë gjithë ditës së marte, u lajmërua në emisionin Debat Plus, në Dukagjin, duke mohuar pretendimet për dallavere me borxhin e ambalazhuesve të ujit.
Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke i caktuar arrest shtëpiak, Izedin Bytyqin zëvendës Sekretar i Ministrisë së Mjedisit, i cili u arrestua gjatë së martës.
Ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu ka mohuar pretendimet që fillimisht u raportuan në media e pastaj u bën edhe cak i hetimit të Prokurorisë.
Për rastin nuk foli shumë kryeministri i Kosovës, i cili tha se nuk mund të jap gjykime përmbajtësore dhe se pret që drejtësia të veprojë.