Influencuesi kontrovers i rrjeteve sociale dhe mizogjeni i vetë-përshkruar, Andrew Tate, është arrestuar në Rumani me akuza për trafikim njerëzor, përdhunim dhe formim të një grupi krimi të organizuar, konfirmuan autoritetet.
Ish-kikboksieri dhe ylli i realitetit televiziv, i cili është ndaluar nga një sërë platformash të mediave sociale për komente mizogjene dhe gjuhë urrejtjeje, u arrestua së bashku me vëllain e tij dhe dy të dyshuar të tjerë.
Ata do të ndaloheshin për 24 orë, thanë prokurorët nga njësia kundër krimit të organizuar në një deklaratë pas bastisjes së pronave të tyre në Bukuresht, raporton The Guardian.
Vëllezërit Tate janë nën hetim penal që nga prilli. Ata nuk pranuan të komentojnë, por avokati i tyre ka konfirmuar se ata ishin arrestuar.
Një zëdhënës i Tate, ka thënë se nuk mund të jepte ndonjë detaj në lidhje me raportet.
“Megjithatë, Andrew dhe Tristan Tate kanë respektin më të madh për autoritetet rumune dhe gjithmonë do të ndihmojnë në çdo mënyrë që munden”, ka shtuar zëdhënësi i Tate.
Sipas një deklarate të përkthyer nga hetuesit, janë identifikuar gjashtë gra që dyshohet se janë shfrytëzuar seksualisht nga grupi i organizuar kriminal.
“Katër të dyshuarit, duket se kanë krijuar një grup krimi të organizuar me qëllim të rekrutimit, strehimit dhe shfrytëzimit të grave duke i detyruar ato të krijojnë përmbajtje pornografike që synohet të shihet në faqet e internetit të specializuara për një kosto,” thanë prokurorët.