Policia ka pranuar informacion për një 22-vjeçar që mbante një mjet të dyshuar si granatë dore në xhepin e xhaketës së tij, ndërsa ndodhej në një restorant në Prizren.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes dhe arrestuar të dyshuarin, ndërsa mjeti i dyshuar është siguruar.
Policia ka konfirmuar se për këtë rast është informuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Me datën 04.12.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë informacion nga qendra komunikuese se një i dyshuar (mashkull, shqiptar, 22 vjeç) ndodhet në një restorant në qendër të Prizrenit dhe në xhepin e xhaketës mban një mjet të dyshuar si granatë dore. Patrulla policore ka reaguar menjëherë, duke arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe të sigurojë mjetin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, deklaroi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Lidhur me rastin janë informuar hetuesit rajonalë dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit.
Hetimet rreth ngjarjes janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat dhe motivet e mundshme.