Një grua në rajonin e Mitrovicës është arrestuar nga autoritetet e Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “Spiunazhit”.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ka bërë të ditur se arrestimi ka ardhur pas disa muajsh hetime të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
E njëjta, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarës, me qëllim të sigurimit edhe të provave tjera material.
Ndërkohë, prokurori i shtetit, ndaj të dyshuarës do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.