Hetuesit rusë kanë arrestuar një grua që dyshohet se vrau një bloger të njohur ushtarak në Moskë, i cili përkrahte luftën kundër Ukrainës. Ajo ishte shpallur në kërkim nga policia ruse.
Zyrtarët rusë thanë se Vladlen Tatarsky, 40-vjeçar, u vra të dielën teksa po drejtonte një diskutim në një lokal në brigjet e lumit Neva në Shën Petersburg. Si pasojë, mbi 30 persona u plagosën nga shpërthimi i bombës dhe 10 prej tyre u lënduan rëndë. Ai kishte më shumë se 560 mijë ndjekës në kanalin e tij në Telegram.
Raportet ruse të lajmeve thanë se bomba ishte fshehur në gjoks të blogerit, që i dyshuari ia kishte dhënë atij si dhuratë pak para shpërthimit.
Ministria e Brendshme ruse e identifikoi të dyshuarën si Darya Tryopova, 26-vjeçare, banore në Shën Petersburg, e cila ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në protestat kundër luftës.
Agjencia e lajmeve Interfax raportoi arrestimin e saj të dielën vonë, por më vonë tha se ajo ishte në arrati, ndërsa nëna dhe motra e saj u thirrën për t’u marrë në pyetje.
Ministria e Brendshme e shpalli atë në kërkim të hënën.
Autoritetet ruse thonë se po hetojnë sulmin në qendër të qytetit të dytë më të madh të Rusisë si një “vrasje e profilit të lartë”.
Askush nuk e mori publikisht përgjegjësinë, por blogerët ushtarakë dhe komentuesit fajësuan menjëherë Ukrainën për sulmin, dhe e krahasuan shpërthimin me vrasjen e gushtit të kaluar të komentatores televizive nacionaliste, Darya Dugina, e cila vdiq pas shpërthimit të makinës së saj në periferi të Moskës.
Autoritetet ruse fajësuan inteligjencën ushtarake të Ukrainës për vdekjen e saj, por Kievi mohoi përfshirjen.
Babai i Darya Dugina, Alexander, një filozof nacionalist dhe teoricien politik që mbështet fuqishëm pushtimin e Ukrainës – i konsideruar “ideologu i Putinit” – tha se Tatarsky është një hero “i pavdekshëm” që vdiq për të shpëtuar popullin rus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se aktivitetet e Vladlen Tatarskyt kanë bërë që ai të “fitojë urrejtjen e regjimit të Kievit” dhe shtoi se ai dhe blogerët e tjerë ushtarakë rusë janë përballur prej kohësh me kërcënime ukrainase.
Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar rus, Wagner, që drejtonte ofensivën e Moskës në Ukrainën lindore, tha se ai ishte pronar i lokalit ku ndodhi sulmi dhe ia dorëzoi atë një grupi patriotik për takime. Ai tha se dyshon për përfshirjen e autoriteteve ukrainase, duke shtuar se sulmi ka të ngjarë të jetë nisur nga një “grup radikalësh” që nuk kanë lidhje me qeverinë në Kiev.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, autoritetet ukrainase nuk kanë marrë përgjegjësinë për zjarre, shpërthime dhe atentate të dukshme në Rusi.
Një zyrtar i lartë i qeverisë ukrainase tha se shpërthimi që vrau Tatarskyn ishte pjesë e trazirave të brendshme.
“Merimangat po hanë njëra-tjetrën në një kavanoz”, shkroi këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, në Twitter. “Çështja se kur terrorizmi i brendshëm do të bëhej instrument i luftës së brendshme politike ishte çështje kohe”, raporton REL.
I lindur në Donbas të Ukrainës, Tatarsky punoi si minator qymyri përpara se të fillonte një biznes mobiljesh. Kur hasi në vështirësi financiare, ai grabiti një bankë dhe u dënua me burg. Ai iku nga paraburgimi pasi një rebelim separatist i mbështetur nga Rusia përfshiu Donbasin në vitin 2014, disa javë pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska. Më pas, ai u bashkua me rebelët separatistë dhe luftoi në vijën e parë përpara se të niste të merrej me blogun e tij.