Të enjten e 13 tetorit, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar, dhe janë konfiskuar mbi 14 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Policia e Kosovës, ku thuhet se hetuesit policorë nga Sektori Qendror i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pasi kanë pranuar një informacion për trafikim të bimëve narkotike të njëjtin informacion e kanë trajtuar në aspektin policor dhe kanë filluar hetime paraprake për të zbardhur rastin.
Policia ka njoftuar se është bërë kontrollimi i një lokacioni në Prishtinë ku dyshohej se mund të gjendej lëndë narkotike.
Ndërsa, në ora 13:10, njësitet përkatëse policore kanë filluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.D., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar), dhe se gjatë kontrollit nga policia janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Dëshmitë e hasura në vend-ngjarje janë fotografuar nga njësia e forenzikës dhe janë tërhequr nga aty.
Ndërkaq, të dyshuarit i është iniciuar rasti: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’, dhe me akt-vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.