Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në Mitrovicë është arrestuar një i mitur, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “vjedhje e rëndë” dhe “hyrje në sisteme kompjuterike”.
Sipas Policisë, në datën 17 janar 2025, në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, i dyshuari thuhet se kishte hyrë në një lokal dhe kishte vjedhur pajisje teknologjike.
Në njoftim thuhet se i mituri përmes një telefoni të vjedhur kishte postuar për shitje në rrjete sociale disa prej pajisjeve të vjedhura.
“Mitrovicë Jugu / 17.01.2025 – 16:30. Më 22.01.2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari m/k (i mitur) për shkak se i njëjti përmes një telefoni të vjedhur kishte postuar për shitje në rrjete sociale disa pajisje teknologjike që ishin vjedhur”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Pas arrestimit dhe intervistimit nga Policia, Prokuroria ka caktuar ndaj tij masën e ndalimit policor për 24 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.