Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 18:30, kanë marrë informatë për një person të lënduar, plagët e të cilit, dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë (thikë).
“Mbrëmë rreth orës 18 :30, kemi marrë informatën se një person i lënduar ndodhet në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, i cili kishte pësuar lëndime trupore që dyshohet të jenë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë ( thikë)”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka njoftuar se personi i dyshuar është arrestuar.
“Personi i lënduar G.P. mashkull, i mitur, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të stacioni Jugu në Prishtinë të mbështetur nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritur ta arrestojnë një person të dyshuar”, vijon njoftimi.
I dyshuari, me urdhër të prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes, ku ndaj tij është iniciuar rasti vrasje në tentativë.