Është arrestuar një person i dyshuar për rastin e vrasjes së një 30-vjeçari dhe plagosjes së gruas të hënën në Podujevë.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një personi të dyshuar, në rastin e vrasjes së rëndë në Podujevë”, ka deklaruar ajo për Dukagjinin.
Po ashtu, në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se: “Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”.
Po ashtu, lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati.
Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”
Ngjarja tragjike ka ndodhur të hënën në mesditë, kur një person është vrarë dhe një grua është plagosur në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Policia e Kosovës është njoftuar rreth orës 12:30 dhe ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Ndërsa, motivet e ngjarjes vazhdojnë të jenë të paqarta.
Si ndodhi ngjarja?
RTV Dukagjini ka mësuar se e gjithë ngjarja e rëndë në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë kishte ndodhur në sytë e fëmijës së tyre katër vjeçar.
Xhaxhai i viktimës tregon se i ndjeri nuk ka pasur probleme më herët dhe se me të njëjtin ishte parë në mëngjes.
“Kanë qenë në mëngjes tek unë, kemi pi kafe me të dhe gruan e tij, më vonë shkuam te shtëpia e tij, më thirrën të shkoj deri në market të blej harq për shtëpi, unë dola deri në qytet. Nuk e di për cka u kon vrasja, nuk na ka tregu që ka pasë me dikë problem. Allahu e di qysh do të kryhen këto raste, nuk kanë pasë probleme më herët, edhe bashkëshortja është e familjes së mirë, edhe atë e kanë rrok plumbat, djali 4-vjecar ka qenë afër tyre në momentin e ngjarjes”, ka deklaruar xhaxhai i viktimës.
Bashkëshortja e viktimës e cila ka mbetur e plagosur është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Në momentin kur kemi arrit në vend të ngjarjes, personi që ka qenë i shtrirë me gjakderdhje prej koke ka pas plagë me armë zjarri, ka qenë pa shenja jete. Ndërsa personi tjetër, femër, është plagosur me armë zjarri në bark në e anën majtë, këtë e kemi dërguar me shpejtësi në Prishtinë, me shenja jete, momentalisht është në gjendje të rregullt, vazhdon trajtimi atje”, ka bërë të ditur Bedri Hyseni nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë.
Aktualisht policia e Kosovës po vazhdon ta hetojë rastin, mirëpo kanë thënë se nuk identifikuar ende ndonjë të dyshuar.
“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në ndriçimin e rastit.
“Me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Aktualisht, Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë themelore të Prishtinës.
Kjo është vrasja e dytë për të cilën policia ka raportuar vetëm brenda muajit shtator.