Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të moshës 59-vjeçare, i dyshuar për disa vjedhje në Ferizaj.
Ai dyshohet se në katër raste kishte vjedhur telefona celularë të llojeve të ndryshme, portofola me para të gatshme, si dhe dokumente personale.
“Policët hetues pas një pune intenzive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe të identifikojnë të dyshuarin V.I (M/K) i moshës 59-vjeçar, i cili me datat: 24.11.2022, 05.12.2022, 25.01,2023 dhe me datën 27.01.2023, në dy rrugët e qytetit të Ferizajt, ‘Zenun Beqa’ dhe ‘Alishefik Spahiu’ dyshohet se nga veturat kishte vjedhur telefona celularë të llojeve të ndryshme, portofola me para të gatshme, si dhe dokumente personale nga disa qytetarë”, thuhet në njoftim.
I dyshuari ishte në kërkim policor, derisa dje me datën 06.04.2023 në ora 18:00, është ndaluar në pikën kufitare në Han të Elezit dhe më pas është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.
Pas intervistimit të tij nga policët hetues, “në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”.