Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë pasi duke tentuar t’i shmangej ndalimit policor, e kishte goditur veturën zyrtare të Policisë dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore policëve.
Kështu është bërë e ditur në raportin 24-orësh të policisë.
Të dyshuarit i është gjetur një sasi e dyshuar narkotike dhe pas bastisjeve në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë, i janë sekuestruar 6 qese të llojit marihuanë, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 euro para kesh.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit në trup dhe në veturën e tij i janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale: 6 qese me narkotikë të llojit marihuanë në peshë 5.4 gramë. Me vendim të prokurorit është bërë kontroll në dy lokacione ku janë gjetur dhe konfiskuar: një sasi narkotikë e llojit marihuanë në peshë 102.5 gramë, 3.9 gramë kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 € kesh para. I dyshuari me qëllim të shmangies arrestimit dhe ndalimit, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë, duke i shakatuar dëme materiale si dhe dy zyrtarëve policorë iu ka shkaktuar lëndime trupore. I dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.
Për këtë rast është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Të dyshuarit me inicialet L.SH. i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Ndaj tij janë iniciuar veprat penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
“I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit Prokuroria do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore. Ju njoftojmë se ky operacion është realizuar me sukses në saje të bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e përbashkët nga policia e prokuroria.