Policia e Kosovës ka arrestuar një person, pasi dyshohet se ka aplikuar për kredi-lizing në një bankë me dokumente të falsifikuara.
Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari është arrestuar sot, pasi hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë trajtuar një informatë lidhur me një person i cili dyshohet të ketë aplikuar për kredi-lizing në një bankë me dokumente të falsifikuara dhe se gjatë veprimeve hetimore, janë siguruar dëshmi se i dyshuari Sh.Sh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar), gjatë procedurave të kredimarrjes, ka paraqitur dokumente si: letërnjoftimin, patentë-shoferin, gjendjen e llogarisë bankare, kontratën e punës dhe kontratën e qirasë, të cilat dokumente është vërtetuar se janë të falsifikuara.
Tutje, thuhet se i dyshuari ka arritur të marrë aprovimin për kredi në shumën prej 71,250 eurosh.
“I dyshuari pasi që i është aprovuar lizingu nga institucioni bankar, i njëjti e kishte në posedim veturën BMW X7 të cilën e kishte pranuar me lizing për shumën e lartcekur. Pasi është bërë identifikimi i të dyshuarit, nga zyrtarët e institucionit bankar, vetura i është marrë personit të dyshuar”.
I dyshuari i arrestuar është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe ndaj tij është iniciuar rasti karshi veprave penale: “falsifikim i dokumenteve” dhe “mashtrim”.
I dyshuari me aktvendim të prokurorit kujdestar dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.