Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandimin e barërave nga Maqedonia e Veriut, të hënën e pesë shtatorit.
Gjatë kontrollimit të veturës me të cilën dyshohet se është kryer vepra, është gjetur një sasi e konsiderueshme e barërave të llojeve të ndryshme.
“Më datën 5 shtator 2022 rreth orës 19:40 është pranuar një informacion se nga fshati Debëlldeh- Viti janë duke lëvizur disa automjete të dyshuara, në mesin e tyre njëra dyshohej se kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara të sjella nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve ilegale, në ndërkohë që dy automjete të tjera kanë bërë përcjelljen e saj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas pranimit të kësaj informate, njësitë operative nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare- Lindje, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-taktike me ç’rast janë realizuar prita dhe kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe në rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë.
“Si rezultat i veprimeve të marra, njësitë policore kanë arritur që ta ndalojnë automjetin e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, me ç’rast gjatë kontrollimit janë gjetur një sasi e konsiderueshme e barërave të llojeve të ndryshme (24 lloje të barërave si: Daleron, Xanax, Sintrom 4, Kalcium Karbonat, Dilakor 0.25mg, Andoll 100 mg, Promolut Nor 5mg, Helex 0.25 mg etj.) të cilat janë sjellë në mënyrë ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës”, vijon njoftimi.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që personi i dyshuar të ndalohet për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar të dërgohet në terminalin doganor.
Rasti i kompletuar u dërgohet njësive kompetente për trajtim të mëtutjeshëm.