Policia e Kosovës, këtë të mërkurë e ka arrestuar një person i cili dyshohet për tentim vrasje.
Ngjarja sipas policisë ka ndodhur me datën tetë janar në lagjen Emshir të komunës së Prishtinës.
“Sot nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, është arrestuar një person i dyshuar për veprën vrasje në tentativë, që ka ndodhë me datën 08.01.2023, në lagjen Emshir, në Prishtinë, saktësisht në një lokal ku nga arma e zjarrit është plagosur një person”, thuhet në njoftim.
Policia i ka identifikuar dy të dyshuar, një nga ta është arrestuar. Personi i arrestuar është një 36 vjecar me inicialet I. Q, të cilit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetuesit rajonal kanë ndërmarrë menjëherë veprime operative e hetimore të cilat kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar, si dhe arrestimin e njërit nga ta. I. Q, mashkull 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi që të njëjtit i janë gjetë dhe sekuestruar: një armë zjarri, një karikator, 14 fishekë dhe një thikë.
Hetuesit janë në kërkim të personit të dytë të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati.