Të martën, një gjykatë në Budapest të Hungarisë lëshoi një urdhër ekstradimi të përkohshëm për një serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë.
Ai akuzohet për vrasjen e 33 civilëve në lagjen “Kristal” në Pejë.
Duke vepruar sipas një kërkese të një gjykate në Kosovë, përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, lëshoi një urdhërarrest ndërkombëtar në shtator 2021, me qëllim të zhvillimit të procedurës penale për krimet e luftës të kryera kundër popullatës civile në lidhje me të shtënat me armë zjarri drejt civilëve në vitin 1999.
Sipas mediave hungareze, i dyshuari dhe dy bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë marrë pjesë ose kanë ndihmuar në vrasjen e civilëve në vendbanimin Kristal të Pejës në vitin 1999.
Bëhet e ditur se autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë mundësinë e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.