Sinisha Nedeljkoviq është arrestuar pasi tentoi të largohej nga Kosova, ku ditë më parë kishte dhënë dorëzani prej 30 mijë eurove pas arrestimit të tij gjatë një operacioni të policisë më 23 maj 2022, ku u gjet drogë në veri të vendit.
Lajmi është konfirmuar për Portalin Dukagjini nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Është arrestuar. S’ka pasur të drejtë ta lëshojë Kosovën dhe pas konsultimit me prokurorin është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Elshani.
Më 17 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi Nedeljkoviqit masën e dorëzanisë, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale.
Ai dyshohet për veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.