Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka arrestuar një person të nacionalitetit serb, të dyshuar për “krime lufte kundër popullatës civile”.
Në komunikatën e përbashkët të Policisë e Prokurorisë është thënë se i dyshuari Zh.N. (1965) është arrestuar rreth orës 16:00 në Mitrovicën e Veriut.
Ai dyshohet se kreu “krime lufte kundër popullatës civile – dhunë seksuale” gjatë vitit 1999 në komunën e Vushtrrisë.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar një person të nacionalitetit serb për veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullatës civile’. I dyshuari Ž.N, (1954) është arrestuar sot me datë 04/03/2024 rreth orës 16:00 në Mitrovicën e veriut. I lartcekuri është i dyshuar për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile – Dhunë seksuale; të kryer gjatë vitit 1999 në komunën e Vushtrrisë. I njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, është dërguar në ndalim për 48 orë”, thuhet në komunikatë.
I dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.