Policia e Kosovës sot ka arrestuar një person në Leposaviq nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë në regjionin e Gjakovës në periudhën 1998/1999.
I dyshuari me inicialet, S.L u kap nga policia në Leposaviq nga një plan taktik i realizuar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) nën dyshimin se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës pas një pune hetimore disa mujore me datë 20.06.2024 ndaj një të dyshuari të identifikuar ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të RKS-së nën dyshimin e arsyeshëm se personi i dyshuar me iniciale (S.L.) duke vepruar në mënyrë individuale dhe në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës në Kosovë, në regjionin e Gjakovës (1998/1999). Konsultimet e fundit me prokurorin e rastit kanë rezultuar me vlerësimin qe veprimet e mëtejme hetimore të orientohen drejt sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të njëjtit i është bastisur shtëpia në Leposaviq ku hetuesit kanë konfiskuar dëshmi relevante të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore.
“Andaj, sot më 27.06.2024, Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës (DHKL), në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësit policore të rendit të DRP Mitrovicë veri kanë realizuar një plan taktik me ç’rast në Leposaviq është ndalu dhe arrestuar i dyshuari m/s me iniciale (S.L.)”, thuhet tutje në njoftim.