Avokati, Xhevdet Smakiqi ka njoftuar se është arrestuar një shtetas i Kosovës në kufirin Kroaci-Serbi gjatë të dielës rreth orës 11:40.
Sipas avokatit Smakiqi, bëhet fjalë për Kushtrim Bytyqin nga Fushë Kosova, i cili u arrestua derisa po kthehej në Kosovë nga Gjermania.
“Sipas familjarëve të Kushtrim Bytyqit, ai ishte arrestuar pse i kishin gjetur kartën e veteranit të babait të tij si pjesëtar i UÇK-së po ashtu i janë sekuestruar sende personale dhe të hollat në kuletën e tij”, ka thënë Smakiqi.
Tutje, Smakiqi ka thënë se familjarët e Kushtrim Bytyqit janë njoftuar vetëm për ndalimin e tij por jo edhe ku po mbahet ai.
“Familja Bytyqi është në ankth pasi që përveç njoftimit në momentin e ndalimit nuk ka asnjë kontakt se ku po mbahet djali i tyre Kushtrim Bytyqi”, ka njoftuar avokati Smakiqi.
Smakiqi tutje ka thënë se Serbia duhet ta ndalojë torturimin e qytetarëve nga Kosova.
“Në emër dhe si avokat i familjes Bytyqi përmes këtij postimi kërkoi nga Ministria e Jashtme e Kosovës që përmes rrugëve diplomatike të ndërmarrë të gjitha veprimet për të kuptuar se ku po mbahet shtetasi i Kosovës Kushtrim Bytyqi, dhe që ai të lirohet sa më shpejtë”, theksoi ai.