Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë vitit 1999.
I arrestuari, D.R., shtetas i nacionalitetit serb, dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprime të rënda kundër civilëve në regjionin e Gjakovës gjatë luftës në Kosovë.
Në njoftimin e saj, Prokuroria thekson se i dyshuari akuzohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Hetimet paraprake sugjerojnë se D.R. ka qenë i përfshirë në krime lufte në rajonin e Gjakovës, një nga zonat që ka pësuar dëme të rënda gjatë luftës së viteve 1998-1999.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se sot ka ndaluar D.R, i nacionalitetit serb për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish- Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Hetimet preliminare tregojnë se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitin 1999 ka kryer krime të luftës ndaj popullsisë civile në regjionin e Gjakovës.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Siç kishte njoftuar më herët Policia e Kosovës D.R. dyshohet për krime lufte gjatë periudhës 7-10 maj 1999 në komunën e Gjakovës. Sipas policisë, i dyshuari kishte vepruar në grup të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP).
“Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, më datën 25 shkurt 2025, në pikën kufitare të Jarinjës, ka ndaluar një person i cili dyshohet se ka kryer Krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas hetimeve të kryera nga Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, i dyshuari me iniciale (D.R.) është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb.
I dyshuari është shoqëruar në Policinë e Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.
Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Policia e Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë me hetimet dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet përkatëse për të siguruar drejtësi lidhur me krimet e luftës në Kosovë”, ka njoftuar Policia gjatë ditës.