Policia e Kosovës, ka vënë në pah detaje të reja për vrasjen që ka ndodhur të premten në Zllakuqan të Klinës.
Sipas Policisë, një rrahje i kishte paraprirë vrasjes.
Personi i dyshuar për këtë rast (A.N), i lindur më 1967, është arrestuar.
Gjatë bastistjes në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur tetë lloje të armëve, karikatorë dhe municion.
Sipas njoftimit të policisë, më datë 15 prill 2022, rreth orës 16:40, Policia është informuar për një rast, rrahje i cili ka ndodhur në fshatin Pataqan të Klinës.
Përderisa, policia po kërkonte të dyshuarit, është njoftuar se një person gjendet në QKMF në Klinë, i cili ishte i plagosur me armë zjarri, e që nga aty me autoambulancë është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, ku është konstatuar vdekja e viktimës nga mjeku kujdestar.
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, gjithashtu prokurori i shtetit dhe Gjyqtari i procedurës paraprake.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion, derisa të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.