Shtetasi sirian M.A., i dyshuar për një vrasje të rëndë të ndodhur në vitin 2022, është arrestuar këtë të martë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, më 18 qershor të vitit të kaluar, në afërsi të zonës kufitare të Vërmicës, i dyshuari akuzohet se ka privuar nga jeta një shtetas irakian, J.H., 31 vjeç.
“Pas një punë operativo-hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, është bërë identifikimi i të dyshuarit M.A. , mashkull, shtetas Sirian, i cili dyshohet se më datë 18.06.2022, në afërsi të zonës kufitare në Vërmicës të Prizrenit ka privuar nga jeta shtetasin Irakian J. H., mashkull, 31 vjeçar me këtë rast ka kryer veprën penale “ Vrasje e rëndë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Arrestimi i të dyshuarit M.A. u krye këtë të martë rreth orës 09:30 në Rajonin e Pejës, dhe ai u shoqërua menjëherë për në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren për të vazhduar procedurat hetimore.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe një përkthyesi, i dyshuari ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka lëshuar vendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.