Ujkan Metaj i arratisur për 12 ditë nga Burgu i Dubravës është arrestuar këtë të mërkurë nga Policia e Kosovës në fshatin e tij në Istog.
Metaj, i dënuar me 11 vjet burgim pas përfshirjes në rastin e vjedhjes së një banke në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj, u arratis më 12 korrik.
Pas gati dy javësh, ai u shpallë në kërkim nga Policia e Kosovës dhe pas disa orësh është arrestuar, merr vesh Dukagjini nga burime brenda institucioneve të sigurisë.
Po ashtu, Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi e ka konfirmuar lajmin për arrestimin e Metajt.
“Si rezultat i angazhimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, konkretisht të Drejtorisë Rajonale në Pejë, në kërkim të personit të dyshuar U.M, viti i lindjes 1988 nё Istog, i cili ishte i kërkuar për veprën penale “Arratisja e personit tё privuar nga liria”, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites. Identifikimit dhe lokalizimit të tij i ka paraprirë ndërmarrja e masave aktive hetimore dhe operative, të cilat kanë rezultuar edhe me arrestimin e personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia ka thënë se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Po në këtë ditë, policia ka publikuar foton e Metajt, të dënuarit me 11 vjet burgim, që më 12 korrik kishte ikur nga Qendra Korrektuese e Dubravës, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.
Dy javë pas arratisjes nga Dubrava, policia shpall në kërkim Ujkan Metajn