Oksana Chykanchy dhe Iryna Synelnyk janë dy gazetaret ukrainase që arritën në Kosovë të dielën e 17 korrikut. Sipas Federatës Evropiane të Gazetarëve – EFJ, gazetaret ukrainase erdhën në Kosovë për shkak të luftës që po zhvillohet në vendin e tyre. Ato do të vazhdojnë aktivitetin e tyre prej gazetareje në Kosovë.
Gazetaret janë pritur nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, juristja e mediave Flutura Kusari dhe nga kolegia e tyre Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase e ardhur në Kosovë.
‘’Synelnyk dhe Chykanch – do të strehohen në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, i cili është inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe European Federation of Journalists – EFJ, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës’’, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Në kuadër të këtij programi, deri më tani në Kosovë janë strehur gjashtë gazetarë ukrainas.
“ ‘Journalists in Residence – Kosovo’, ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës’’, thuhet në njoftim të AGK-së.