Arroganca që dëmton

Barrikadimet e partive politike në raport me krijimin e qeverisë së re janë të dëmshme dhe të papërgjegjshme. Ato kanë marrë besimin nga qytetarët që të gjejnë zgjidhje, e jo të shesin prepotencë dhe arrogancë.

Imer Mushkolaj

Zgjedhjet kanë përfunduar tash gati pesë javë, ndërkohë që paqartësitë për krijimin e qeverisë së re vetëm janë shtuar. Vota e qytetarëve dhënë partive politike i detyron ato të gjejnë zgjidhje për institucionet e reja, duke i bërë përgjegjëse për të shmnagur ngërçin dhe bllokadën eventuale.

Kushtetuta dhe ligjet i përcaktojnë qartë procedurat të cilat, gjithsesi, duhet respektuar. Por, përtej formaliteteve, partitë kanë zgjedhur të bëjnë lojëra politike, duke mos premtuar zgjidhje të shpejtë.

Përderisa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se qeverinë do ta krijojnë ata me deputetët e komuniteteve joserbe – ndonëse numrat nuk iu mjaftojnë – Lidhja Demokratike e Kosovës, me një gjuhë të komplikuar, po çon mesazh se do të rrijë në opozitë. Në fakt, LDK po kërkon qeveri në të cilën do ta ketë kryeministrin, qeveri pa Vetëvendosjen, por që në të njëjtën kohë do të zgjasë katër vjet. Si e qysh e kanë menduar një gjë të tillë, bëjnë mirë ta sqarojnë zyrtarët e kësaj partie.

Tashmë në opinionin publik janë diskutuar disa opsione se si do të mund të krijohej qeveria e re. Por, deklarimet e partive politike nuk dalin përtej inateve, akuzave e kundërakuzave. Ato vazhdojnë të operojnë sikur të jenë në një ishull, pa e pasur idenë se çfarë po ndodh përreth, pa e pasur përgjegjësinë për rrezikun që mund t’i kanoset vendit nga zhvillimet e reja gjeopolitike. Për to më i rëndësishëm është akomodimi i personave të caktuar në peisazhin politik lokal, sesa marrja e përgjegjësisë dhe dalja jashtë lëvozhgës së funksionimit.

Kryeneçësia dhe krenaria prej budallallëku, që kthehet në prepotencë e arrogancë, po i karakterizon ato. Duke harruar peshën politike dhe vendin që ua ka përcaktuar qytetari në zgjedhje, ato sillen si fituese absolute në një mjedis të sigurtë e të qetë, e jo në një mjedis të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm.

* * *

Partitë politike në Kosovë nuk dinë të veprojnë racionalisht. Pa marrë parasysh çfarë fuqie kanë, ato sillen si të kenë gjithë fuqinë e votës. Ta zëmë, del partia e pestë me kërkesa absolutisht qesharake krahasuar me rezultatin në zgjedhje. Ose e treta, LDK’ja, e cila duket se nuk ka mësuar gjë nga e kaluara e vet.

Partia, e cila nuk ka fituar zgjedhje që nga koha e Ibrahim Rugovës, sillet thua se është fituese absolute. Përtej akuzave të vetë zyrtarëvë të saj për vjedhje votash, kjo parti duket se jeton në një tjetër dimension.

E rëndësishme është që partitë vërtet ta kuptojnë fuqinë e tyre reale dhe të veprojnë bazuar në atë fuqi. Qytetarët nuk ia kanë dhënë votën asnjë partie që të sillet si fituese absolute por, në njëfarë forme, i kanë orientuar që të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë. Çfarëdo tendence për ta kuptuar ndryshe këtë mesazh është i dëmshëm për vetë ato.

Siç është i dëmshëm madje edhe vetëm debati për zgjdhje të reja, po që se bllokohet krijimi i institucioneve. Pyetja më logjike është: pse ka nevojë për zgjedhje të reja, kur rezultati për partitë politike nuk është se do të mund të ndryshonte shumë nga ai i 9 shkurtit? Pse duhet maltretuar qytetarët edhe njëherë për shkak të papërgjegjësisë së partive politike dhe egove të tyre për pushtet?

Po të ishin të përgjegjshme, partitë do të gjenin zgjidhje dhe do ta krijonin qeverinë shpejt, duke mos lejuar të futen në rrugën pa fund të bllokadave dhe interpretimeve. Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, e ka përgjegjësinë kryesore për ta bërë vendin me qeveri të re. Por, kjo nuk don të thotë që partitë tjera nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie. Më e lehta është që të qëndrosh anash e të mos marrësh pjesë në proces, duke pritur ditë më të mira në të ardhmen, atëherë kur votuesit mund të “vetëdijesohen” dhe të votojnë ndryshe. Por, abstenimi nuk është zgjidhje, siç nuk është zgjidhje as përjashtimi i opcioneve të caktuara.

Gjermania, shtet me miliona banorë e miliona votues, ia doli të krijojë koalicion qeveritar brenda një kohe të shkurtër, bazuar në disa parime për të cilat partitë janë pajtuar. Shteti më i fuqishëm në Bashkimin Europian iu përgjigj kështu sfidave në rritje dhe dinamikave të reja. Ndërkaq, në Kosovën me pak banorë e votues, partitë politike mund ta ketë luksin që të zvarrisin e bllokojnë, duke i vënë në radhë të parë interesat partiake e personale, e jo interesin e qytetarëve që kanë votuar.

Lojërat e pista të partive politike, në përpjekje për të bllokuar krijimin e institucioneve, përkatësisht provokimin e zgjedhjeve të reja, duhet ndëshkuar nga qytetarët që në rastin e parë. Në kohën e dunamikave të reja gjithandej, vendi nuk ka kohë për të humbur.

Të fundit nga rubrika