Të dielën në mbrëmje në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini, ndër të tjerash u diskutua edhe rreth zhvillimeve të fundit në Kombëtaren e Kosovës.
Pika kryesore ishte ndërprerja e bashkëpunimit nga Federata e Futbollit e Kosovës me Giresse. Trajneri Arsim Thaqi supozon se problem nuk ka qenë vetëm tekniku francez.
Ai ka thënë se duhet të largohet edhe një pjesë e stafit të Giresse, sipas tij duke filluar nga menaxheri i Kombëtares i cili është Bajram Shala.
“Shumë herë mos të ngutet me përzgjedhjen e trajnerit, por jo vetëm trajneri si individ unë po mendoj që duhet edhe një pjesë e stafit përreth tij që punon për Kombëtaren. Duke filluar nga menaxheri, i cili ka një lloj autoriteti sidomos te komunikimi me lojtarët që vijnë te Kosova,” tha Thaqi.
Gjithashtu, ish-trajneri i Dritës potencoi se Kosovës i duhet një përzgjedhës i nivelit të lartë, pasi edhe lojtarët janë të tillë.
“Sot niveli i lojtarëve të Kosovës është rritur aq shumë saqë meriton një trajner të atij niveli. Pse këta janë cilësor mos të mendon dikush se nuk ka problem i udhëheq këta lojtarë çdokush. Më vështirë është të udhëhiqet një lojtar i nivelit të lartë sesa të ulët,” theksoi Arsim Thaqi.