I lindur në Gjakovë, por me një talent të veçantë në art, Alkent Pozhegu është artisti kosovar që tashmë ka aritur të depërtojë edhe në arenën ndërkombëtare, falë punës dhe angazhimit të tij.
Për punën e tij prej artisti, Pozhegu në një intervistë për Portalin Dukagjini ka treguar se nuk i ka përfunduar studimet, megjithatë e ai ka thënë se e ka dhunti të trashëguar.
Piktura është një poezi pa fjalë, dhe kjo reflektohet në krijimet e Pozhegut, me të cilat ai arriti ta bëjë vendin e tij referencë globale. Mediat e ndryshme ndërkombëtare po shkruajnë në vazhdimësi artikuj për talentin e tij qysh nga viti 2019, kur ai e kishte pikturuar presidentin e Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe së fundi, me pikturën e mbretëreshës Elizabeta II pas vdekjes së saj, të cilën e realizoi në nderim të veprës dhe punës së mbretëreshes.
Brenda pesë vjetësh, Pozhegu ka fituar tri çmime për rekordin Guiness.
“Jam certifikuar tri herë në rekordet Guiness: Në vitin 2014 (me dy emrat Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi dhe dy klubet e futbollit, Barcelona dhe Real Madrid), në vitin 2017 (me portretin e Rita Orës) dhe në vitin 2019 (me portretin e presidentit të Amerikës, Donald Trump)”, ka thënë Pozhegu.
Krahas çmimeve, ai ka treguar se është nderuar disa herë edhe me mirënjohje në Kosovë.
“Vlerësimi është diçka që kam ëndërruar gjithë jetën, por nuk e kam menduar se do të jem pjesë e rekordeve botërore”, ka thënë ai.
Krijimtarinë artistike, Pozhegu e kishte nisur me fruta, megjithatë ai e ka avancuar atë pastaj në artin me drithëra dhe fara.
“Kam filluar artin me drithëra dhe fara, atëherë kur realizova një mozaik dhe dallova se ato mund të bashkohen në mënyra të ndryshme dhe t’i bëjnë pikturat të shkëlqejnë”.
Jo vetëm gjatë kohës së lirë ose për t’i ikur përditshmërisë pikturojnë artistët; artisti gjakovar, veçanërisht, kujdeset që momentet të cilat bëhen lajme bote t’i pasqyrojë me anë të mozaikëve të tij.
Ai mozaikët i realizon duke përdorur drithërat, farat, lulediellin, fasulet, misrin dhe grurin, ndërsa pikturat thotë se i realizon në pëlhurë, në mur, dysheme, por edhe në rrugë.
Ta fillosh punën tënde të parë, duke pikturuar një flutur dhe të arrish të pikturosh personat të cilët i njeh e gjithë bota, është progresi i një artisti pasionant.
Pozhegu theksoi se krahas mozaikëve për ngjarjet që bëjnë lajme në botë, artin e përdori për të nderuar apo falënderuar njerëzit që ndihmojnë vendin e tij apo edhe për të shprehur diçka që e ka tërhequr dhe i ka lënë përshtypje të mirë në jetë; kjo është ndjesia e artistit pasi një vepër arti, mbi të gjitha, është një aventurë e mendjes.
Artisti nga Gjakova bëri të ditur se realizimi i këtyre pikturave dhe mozaikëve nuk është i lehtë, por se kërkon shumë përkushtim e kujdes, pasi nuk duhet t’i ndryshojë portretet e njerëzve.
“Pjesa që më bën të ndihem mirë dhe të mos ndalem është vlerësimi dhe komentet e mira që marrë nga publiku, këto më bëjnë të kem përkushtim maksimal”, ka thënë Pozhegu.
Alkent Pozhegu ka realizuar edhe ekspozita duke filluar nga Gjakova, Peja, Prishtina, Tirana e Belgjikë.
“Shpresoj që një ditë të mund të udhëtojmë pa viza, dhe do të organizojë ekspozitë edhe në shumë vende të tjera”, është shprehur ai.
Alkent Pozhegu ka pikturuar shumë persona të njohur si nga bota shqiptare dhe figura të ndyshme ndërkombëtare si: Rita Ora, Dua Lipa, Donald Trump, Joe Biden, Nënë Tereza, Mbretëresha Elizabeta II, Nexhmije Pagarusha, Ismail Qemaili, Adem Jashari, Volodymyr Zelenskyy, Angela Merkel dhe shumë personalitete të tjera.
Artisti që ka “thyer” tashmë kufijt vendorë, ka treguar edhe për mënyrën dhe arsyen e realizimit të disa prej portreteve.
Për të realizuar portretin e pesidentit Donald Trump, artisti kishte punuar rreth dy vite e gjysmë, ku për realizimin e saj kishte përdorur drithëra, misër, oriz, fara, lulediell dhe grurë.
Kjo pikturë ka një dimension me gjerësi prej 20 metra dhe gjatësi 26 metra. Kështu që, dy vjet punë, Pozhegut iu shpërblyen duke marrë një çmim për realizimin e këtij portreti.
Në kohën kur kishin filluar zgjedhjet në Gjermani, Pozhegu zgjodhi të pikturonte portretin e kancelares Angela Merkel, të cilën e konsideroi shembull për të gjitha gratë e botës.
“Unë besoj që për botën është shumë, sepse një grua ka arritur të jetë aq e fuqishme, ka fituar katër mandate dhe mund të jetë shembull për të gjitha gratë e botës. Kurse ne në Kosovë duhet të jemi falënderues për mbështetjen e fuqishme që kemi pasur nga Angela Merkel”, është shprehur ai për Portalin Dukagjini.
Për pikturat me portretin e Dua Lipës dhe Rita Orës, artisti ka thënë se i ka realizuar për faktin se arritën të na nderonin në gjithë botën me artin e tyre muzikor.
Artisti Pozhegu ka thënë se nuk e kishte të lehtë punën e tij, por me shumë mundim, angazhim dhe sakrificë ia ka arritur me sukses, duke ftuar kështu gjithë ata që kanë një dorë artistike të punojnë, sepse mund ta çudisin botën.
“Me një mollë mund të çudisni botën, kishte thënë Paul Cezanne, edhe ju me dorën tuaj mund të bëni këtë”, ka përfunduar Alkent Pozhegu.