Ish-kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Anel Rashkaj, ka reaguar ashpër pas përfundimit të sezonit 2022/23 në Superligën e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rashkaj ka thënë se futbolli në Kosovë është degraduar nga disa persona, por nuk ka përmendur emra.
Sipas tij, skenat që mund të shihen në futbollin kosovar nuk mund të krahasohen as me filmat holluvidian.
“Marre. E keni degradu futbollin NKosovë. As nfilma Hollywoodit nuk she ksi skena. Me pas qef futbollin edhe me dit(kuptu) futbollin jan dy gjëra tndryshme,” ka shkruar ai.
Duhet cekur se, të dielën mes polemikave të shumta Ferizaj siguroi barazhin, ndërsa Trepça’89 u rikthye pas vetëm një sezoni në Ligën e Parë.
Ferizajasit shënuan fitore të dyshimtë kundër Dukagjinit me rezultat 2-1, gjersa me rezultat identik triumfuan edhe mitrovicasit ndaj Prishtinës.