Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Granit Geci, ka deklaruar se është i bindur se asamblisti i LVV-së, Besnik Mujeci, do të jetë sërish pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ngase për të ky rast nuk do të ishte i pari i kësaj natyre.
I ftuar në “Five” të RTV Dukagjini, Geci ka përmendur edhe një rast të ngjashëm me atë të asamblistit Mujeci e që kishte përfunduar me ripjesëmarrjen në Kuvendin komunal.
“Jam i bindur që do ta kemi sepse pothuajse të njëjtin rast e kemi pasur edhe me një asamblist tjetër të LVV-së, Berat Lahu, i cili po ashtu rëndohej nga akuza të rënda siç ishte keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit dhe për një moment e kemi parë se iu bashkua sërish Kuvendit Komunal, jemi mësuar tashmë me këto”, ka deklaruar Geci.
Gjersa e quajti “Fasadë” përjashtimin e Mujecit, Geci ka deklaruar se përjashtimi i tij nga LVV-ja u bë si shkak i presionit publik ndaj subjektit politik të tij.
“Në momentin që morëm vesh, ne kemi kërkuar përgjegjësi nga zoti Mujeci, por edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, kemi kërkuar dorëheqjen e menjëhershme dhe të revokueshme të asamblistit dhe një distancim serioz të VV-së nga asamblisti. Nga mendiat jemi informuar që ka ndodhur një përjashtim ‘fasadë’ sepse reagimi i LVV-së ishte si pasojë e presionit qytetar…ne prapë se prapë s’kemi si ta largojmë nga përgjegjësia LVV, duke ditur se i njëjti është një nga figurat kryesore të saj, si organizative edhe atë të vendimmarrjes’, ka deklaruar ai.
Mujeci dyshohet se bashkë me katër persona të tjerë kanë tentuar të transportojnë 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro.
Mujeci, sic raporton Policia e Shqipërisë, kishte transportuar lëndë narkotike, duke i përdorur autoubusët në sezonën turistike nga Kosova në Shqipëri.
“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur më herët të martën se kanë nisur procedurat diciplinore ndaj asamblistit Mujeci.
Gjatë ditës, nga LVV kanë bërë të ditur se Mujeci është shkarkuar nga të gjitha strukturat e partisë.